Në Seancën Shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës të mbajtur në datat 7 deri 11 nëntor janë paraqitur rezultatet për një pajisje që kryen punën e stetoskopit e që mediat pro teknologjisë raportojnë se mund edhe ta zëvendësojë atë. Pajisja HeartBuds është një përforcues akustik që vepron në bashkëpunim me një aplikacion që mund të instalohet në telefonat e mençur. Kjo pajisje është krijuar nga një kompani nga Florida, SHBA, dhe shitet si aparat jomjekësor që shërben për dëgjimin e të rrahurave të zemrës.
Stetoskopi është shpikur në vitin 1816 nga mjeku francez René Laennec. Gjatë 200 viteve përdorim nuk ka ndryshuar shumë. Sot ekzistojnë stetoskopë të hedhshëm, analog e elektronik, por të gjithë punojnë me pak a shumë të njëjtin parim pune. Stetoskopi i hedhshëm preferohet në shumë raste për shkak të limitimit të shpërndarjes së baktereve, por ai ka performancë më të dobët.
Tani, HeartBuds është krahasuar në një studim me stetoskopët që përdoren nga mjekët dhe ka dhënë rezultate shumë të mira. Nga studimi i kryer me 50 pacientë ka rezultuar se HeartBuds është më i saktë se stetoskopët e hedhshëm (për vetëm një përdorim) të cilët janë të aprovuar si pajisje mjekësore. Kjo pajisje gjithashtu ka rezultuar e barazvlefshme për dëgjimin e zemrës me stetoskopin analog dhe atë elektronik, të cilët përdoren zakonisht nga mjekët.
HeartBuds përveç funksioneve të stetoskopit mundëson edhe regjistrimin e zhurmës së dëgjuar dhe shpërndarjen e regjistrimit me persona të tjerë, madje edhe përmes internetit.
Video se si funksionon : https://www.youtube.com/watch?v=od7ovtrKzFU
***
Referenca :
1. http://circ.ahajournals.org/content/132/Suppl_3/A14852?abstractsid=8c5fa-65a4-47ed-940a-7b742f6d7bb9
2. http://www.techtimes.com/articles/105802/20151113/smartphones-and-heartbuds-portable-device-may-soon-replace-stethoscopes.htm
3. http://www.sciencedaily.com/releases/2015/11/151111092446.htm
No comments:
Post a Comment