Terapia me antitrupa bllokon te majmunët replikimin virusit ekuivalent të HIV

HIV është një nga viruset më të rrezikshëm për njeriun. Ai është virusi që shkakton sëmundjen SIDA
. Kjo sëmundje bën që trupi të humbë qelizat mbrojtëse, duke e lënë kështu të pambrojtur përballë sëmundjeve të tjera. Kjo bën që edhe sëmundjet më të lehta të bëhen të rrezikshme për jetën. Për trajtimin e të infektuarve më HIV ekziston terapia e quajtur ART (antiretroviral therapy, sq. terapi antiretrovirale), e cila ulë dhe mban nën kontroll replikimin e HIV. Problemi me këtë terapi është se duhet të merret vazhdimisht, përndryshe replikimi i HIV vazhdon. I Infektuari me HIV nuk mund të shërohet asnjëherë, pasi që virusi e lidh ADN-në e vet me atë të të infektuarit. Me qëllim zbulimin e një mënyre për të mbajtur nën kontroll replikimin e virusit HIV pa pasur nevojë për terapi të përditshme, shkencëtarët kanë bërë eksperimente me majmunët dhe versionin e HIV që i prekë ata, i cili quhet SIV. Majmunëve, pas terapisë ART iu dha një trajtim me antitrupa që kanë si shënjestër receptorët α4β7. Pas 9 muajsh, majmunët e trajtuar me këtë terapi ende kishin nivele të ulëta të SIV. Rezultatet befasuese të eksperimentit janë publikuar në Science, më 14 tetor.

Eksperimenti është bërë me majmunë të infektuar me SIV, ku 5 javë pas infektimit, ata kanë filluar trajtimin me ART që ka zgjatur 90 ditë. Pas ndalimit të këtij trajtimi shkencëtarët i kanë ndarë majmunët e infektuar në dy grupe, njëri nga të cilët është trajtuar me  anti- α4β7, i cili është një trajtim i pranuar për Morbus Crohn , ndërsa grupi i kontrollit me një placebo. Gjatë vëzhgimit të rezultateve shkencëtarët mbetën të befasuar pasi që rezultatet nuk ishin fare siç i prisnin. Bazuar në një studim që kishin bërë me majmunët më parë, shkencëtarët prisnin që antitrupat të bënin që qelizat CD4 (të cilat preken më shpejt nga virusi) të gjendeshin më pak bark. Por, ato u gjenden aty edhe pas trajtimit me anti-α4β7. Për më tepër, ata gjithashtu vunë re se majmunët e trajtuar kishin më shumë SIV në disa zona si p.sh. në zorrën e hollë se sa grupi i kontrollit. Por, në përgjithësi, majmunët e trajtuar me anti-α4β7, pas trajtimit kishin nivele të ulëta të SIV dhe nivele normale të qelizave CD4 për rreth 9 muaj. Grupi i kontrollit që kishte marrë placebo pa një ngritje të nivelit të SIV pas dy javësh.

Shkencëtarët nuk e kanë shumë të qartë se çfarë ndodh dhe se si funksionon ky trajtim. Ai nuk funksionon ashtu siç e prisnin ata. Përveç kësaj, majmunët e trajtuar janë në gjendje më të mirë shëndetësore, por ata janë ende të infektuar dhe mund ta përçojnë virusin. Megjithatë, ata kanë 3 javë që kanë filluar testimet me njerëz, edhe pse nuk janë të sigurt nëse do të funksionojë edhe te njerëzit apo nëse është diçka e veçantë për majmunët.

Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë që nuk janë përfshirë në këtë studim ngrenë pyetje për ecurinë e eksperimentit. Ekziston mundësia që suksesi të ketë qenë për shkak se trajtimi i majmunëve filloi 5 javë pas infektimit, gjë që do e bënte të pashpresë për përdorim te njerëzit, të cilët zakonisht e zbulojnë se janë infektuar më vonë se aq. Megjithatë, studimi hapë një rrugë të re kërkimi shkencor për një kurë më efektive për HIV dhe saktësia dhe përdorshmëria e rezultateve të marra do të vërehet pas disa studimeve.

***
Referencat:

1. http://science.sciencemag.org/content/354/6309/197
2. http://www.sciencemag.org/news/2016/10/antibody-treatment-surprisingly-cures-monkeys-hiv-infection
3. ​http://www.sciencealert.com/a-new-antibody-therapy-appears-to-have-permanently-blocked-hiv-infection-in-monkeys

No comments:

Post a Comment